Teatri Evropian i Rilindjes

Viktor Karpaçi, Historitë e Sant'Orsola-s, (hollësi) Compagno della Calza

Edhe teatri rilindas kaloi nga Teocentrizmi te Antropocentrizmi, me vepra më natyraliste, nga aspekti historik, me synim që ti pasqyronin gjërat ashtu siç janë. Kërkohej rikuperimi i realitetit, i jetës në lëvizje, i figurës njerëzore në hapësirë, në të tre përmasat, duke krijuar hapësira për efektet iluzioniste, si trompe-l'œil. Lindën parimet teatrore të bazuara në tre njësi (aksioni, hapësira dhe koha), të marra nga Poetika e Aristotelit, teori e futur nga Lodovico Castelvetro. Si dramaturgët kryesorë u shquan Niccolò Machiavelli, Pietro Aretino, Bartolomé Torres Naharro, Lope de Rueda dhe Fernando de Rojas, me veprën e tij të madhe La Celestina (1499). Në Angli u krijua Teatri elisabetian, me autorë si Christopher Marlowe, Ben Jonson, Thomas Kyd dhe, veçanërisht, William Shakespeare, gjeni i madh universal i letërsisë (Romeo dhe Zhuljeta, 1597; Hamleti, 1603; Otello, 1603; Makbethi, 1606).[1]

Rilindja qe Koha e artë e teatrit, qoftë në Itali ashtu edhe pranë oborreve të tjera evropiane. Rizbulimi i teksteve klasike greke e latine krijoi një shumësim dhe përhapje të spektakleve teatrorë që bënë të tejkalohej, edhe pse në kohë të ndryshme, në fillim në Itali se sa në pjesën tjetër të Evropës, Paraqitjet e Shenjta klasike të përhapura tashmë që nga fillimi i Mesjetës.

Prania e humanistëve pranë oborreve evropiane qe përcaktuese, nëpërmjet rivënies në skenë të kryeveprave të Plauti-t, Terencit, të Tragjedianëve grekë dhe Senekës, për një vizion të ri të artit përfaqësues dhe për laicizimin e teatrit.

Shumë intelektual rizbuluan tekstet klasike dhe i aktualizuan, si në rastin e La Mandragola (1518) e Niccolò Machiavelli-t dhe La Calandria (1513) e Bernardo Dovizi da Bibbiena.

Teatri klasik u përhap në të gjithë Evropën dhe tekstet shpesh u morën nga autorë të ndryshëm: Nicholas Udall, për shembull, vuri në skenë një version të tijin të Miles gloriosusPlauti-t të përkthyer në anglisht me titullin Ralph Roister Doister1535. E njëjta komedi plutiane u paraqit edhe në Francë nga Jean Antoine de Baïf, që i shtoi tekste të tjera klasike si Eunuchus-i i Terencit dhe Antigona e Sofokliu-t. Gjithmonë mbi shembullin e Teatrit grek, në Hungarinë e sovranit humanist Mátyás Hunyadi (i biri i Janosh Huniadi-t), Péter Bornemisza vuri në skenë një version të tijin të Elektra-sSofokliu-t të titulluar thjeshtësisht Tragjedi në gjuhën hungareze (1558).

Teatri rilindas pati një zhvillim të fortë falë edhe zbatimit të risive piktorike dhe arkitektonike. Prespektiva dhe rindërtimi i teatrit sipas shembullit të atyre greko-romakë, janë në themel të ndërtimit të të famshmit Teatro Olimpico i Andrea Palladio-s.

Shumë artistë u specializuan në skenografi si Sebastiano Serlio dhe Baldassarre Peruzzi, të tjerë, si Giovanni Maria Falconetto dhe Vincenzo Scamozzi, në përdorimin e rinovuar të hapësirave skenike jo më të rezervuara për vendet tradicionale. Në Spanjë, për shembull, qe Teatro de salon për oborrin dhe pallatet e fisnikërisë dhe Corrales-it për publikun me pagesë. Në të njëjtën kohë edhe në Itali lindën teatro me pagesë mbi të gjitha në gjysmën e dytë të Pesëqintës. Kjo shërbeu kryesisht për të nisur rreth vitit 1520 në veri të Italisë gjininë e re të Commedia dell'arte, me tekste të improvizuara, në dialekt, duke zotëruar mimikën dhe duke futur personazhe arkitipik si Arlekini, Colombina, Pulcinella (në Francë e quajtur Guignol), Pierotto, Pantaleone, Pagliaccio, etj.

Firence, në fund të shekullit të XVI, u hodhën themelet për një formë të re spektakli: Melodrama që në Itali pati midis autorëve të parë Claudio Monteverdi-n. Fillimisht u bë fjalë për intermexot midis akteve të komedisë, që në vazhdim morën gjithmonë e më shumë hapësirë në skenë deri sa u bënë një formë autonome paraqitjeje, më parë e quajtur recitar cantando dhe që u zhvillua deri në krijimin e operave të mirëfillta autonome.

  1. ^ César Oliva dhe Francisco Torres Monreal: Historia básica del arte escénico, 2002, Cátedra, Madrid, isbn=84-376-0916-X, fq. 109-162

From Wikipedia, the free encyclopedia · View on Wikipedia

Developed by Nelliwinne